“Kemi lojtarë të rinj e cilësorë”, Bennacer: Milan luan për të fituar trofe si Champions League

schedule09:56 - 15 Nëntor, 2023

schedule 09:56 - 15 Nëntor, 2023

Mund të thuhet me plotë gojë se reparti më “problematik” i “kuqezinjve” të Milan, këtë sezon është mesfusha, ku përveç “tankut” anglez, Ruben Loftus-Cheek lojtarët e tjerë lënë për të dëshiruar, duke vënë gjithnjë e më shumë në dukje, mungesën e “yllit” të tyre, Ismael Bennacer.

“Fantazisti” 25-vjeçar mungon që prej prillit në radhët e “Djajve” të Milanos, ku në atë kohë pësoi një dëmtim të rëndë, në sfidën e parë gjysmë-finale, të UEFA Champions League, ndaj “zikaltërve” të Inter, mirëpo duket se rikthimi i tij në fushën e blertë është shumë afër.

Fillim viti i ardhshëm pritet ta vendosë algjerianin, sërish, nën urdhrat e teknikut Stefano Pioli, për t’u përpjekur sërish për të fituar medalje me “kuqezinjtë” e tij. Kjo ka qenë një nga temat, që Bennacer ka folur edhe gjatë një intervistë me “The National Football”, teksa ka theksuar ambiciet e mëdha, që ai dhe shokët e tij të skuadrën dëshirojnë të arrijnë me fanellën e “gjigantëve” italianë.

“Milan luan për të fituar trofe, si Champions League. Ne nuk kemi vetëm objektivin të konkurrojmë në atë kompeticion, por mbi të gjitha të jemi në gjendje ta fitojmë. Kur mbërrin në gjysmëfinale, si vitin e kaluar, gjithmonë ke ndjesinë se mund të arrish deri në fund dhe të përpiqesh të fitosh kupën. Do të përpiqemi këtë sezon. Nuk jemi këtu vetëm për të luajtur në grupe.

E dimë se ka ekipe shumë të forta, por do të përpiqemi të fitojmë Champions League. Dëmtimi që pësova ndaj Inter ishte i vështirë. Një moment delikat, pasi po luaja një ndeshje të tensionuar, ndoshta ndeshja më e rëndësishme e karrierës.

Qëndrova dy muaj pushim absolut, më pas nisa sërish të punoja fort dhe të organizoja programe specifike. Nuk e kam patur të lehtë, por kam menduar gjithmonë pozitivisht. Gjithmonë duhet të shohësh gjërat pozitive dhe këtë e bëra duke kaluar shumë kohë me familjen time dhe me veten time. Kjo më ndihmoi. Për momentin nuk jam i lumtur, por kjo është në rregull sepse rikuperimi im po shkon mirë dhe nuk ndjej dhimbje në gju”,- u shpreh “fantazisti” algjerian.

Më tej, Bennacer foli edhe për kualitetin e skuadrës, ku theksoi se merkato e “kuqezinjve” ishte e shkëlqyer, duke arritur të afrojnë lojtarë të rinj e cilësorë.

“Kur luan për Milanin, gjithmonë dëshiron të fitosh. Çdo vit dhe kundër të gjithëve. Kemi lojtarë të rinj dhe cilësorë. Në fakt, për mendimin tim, skuadra është shumë e mirë. Lojtarët e afruar janë të shkëlqyer. Tani për tani duhet të formojmë grupin, do të duhet kohë, por ne jemi gati ta bëjmë dhe do të jemi të lumtur së bashku”,- tha “ylli” i mesfushës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!