Eksperti i energjisë, Reshard Këlliçi i ftuar në ‘Log.’ në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka komentuar vendimin e fundit të SHBA për të ndaluar importin e energjisë ruse.
Ai tha se nuk ishte një vendim i lehtë i presidentit Joe Biden, pasi ai bëri një premtim gjatë fushatës presidenciale ku tha se do të ndalohet eksplorimi i gazit natyror dhe naftës në SHBA, premtim të cilin e mbajti.
Sipas Këlliçit vendimi i sotëm i Biden tregoi se sa seriozë janë amerikanët, ndërsa shtoi se vetë presidenti i SHBA-ve tashmë e ka bërë të qartë se mënyra se si do të mundet Rusia në këtë luftë është përmes izolimit ekonomik.
‘Ajo që ka treguar sot Biden tregoi se sa serioz janë në dedikimin e tyre që lufta po bën Rusia me Ukrainën do të jetë në formën e izolimit të ekonomisë ruse dhe Rusisë vetë. Amerika e ka bërë të qartë se ky konflikt nuk do të zgjidhet me çizme amerikane dhe çizme të NATO-së, por me izolimin ekonomik të Rusisë. Biden ka thënë gjithashtu se lufta në Ukrainë nuk do të fitohet nga Rusia, këto janë deklarata të mirëmenduara’, tha Këlliçi.