Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të thërrasë të martën një mbledhje urgjente të kabinetit për të diskutuar një rrugë drejt paqes në Gaza, ndërsa rriten kërkesat për njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez.
Sipas agjencisë DPA, Starmer ka ftuar ministrat e lartë të qeverisë, edhe gjatë periudhës së pushimeve verore, për të zhvilluar një takim të veçantë lidhur me situatën në Gaza.
Zyra e kryeministrit bëri të ditur se gjatë një takimi në Skoci me presidentin amerikan Donald Trump, Starmer ka ndarë planet që po harton në bashkëpunim me Francën dhe Gjermaninë, me qëllim “të sjellë një paqe të qëndrueshme”. Në ditët në vijim, ai pritet të ndajë detaje të mëtejshme të këtij plani edhe me shtetet arabe dhe aleatë të tjerë.
Starmer po përballet me një presion në rritje, si nga një pjesë e Partisë Laburiste ashtu edhe nga opinioni publik, për njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez.
Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit theksoi se: “Këtë javë, kryeministri është i fokusuar në gjetjen e një rruge drejt paqes, që përfshin ndihmën e menjëhershme për civilët në terren dhe një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. Është e qartë për ne se njohja e shtetit palestinez është çështje kohore, jo nëse do të ndodhë, por duhet të bëhet pjesë e një procesi më të gjerë që siguron siguri afatgjatë për palestinezët dhe izraelitët.”
Sipas raportimeve të gazetës britanike The Telegraph, Starmer pritet të publikojë së shpejti hapat që do të çojnë drejt njohjes zyrtare të Palestinës nga Britania, si dhe të diskutojë përpjekjet britanike për të ndihmuar në ndalimin e urisë në Gaza.
Gjithashtu, The Telegraph raporton se rreth një e treta e deputetëve të Partisë Laburiste kërkojnë njohjen e menjëhershme të Palestinës, ndërkohë që Starmer mund ta kushtëzojë këtë njohje me arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza./abcnews.al

