U bënë shumë vite në atë gadishull.
Keidi Bare mund të cilësohet një specialist i futbollit spanjoll, pjesë e të cilit është bërë që nga 2016-ta, dhe që nga periudha fillestare tek Atletiko e Madridit, ka provuar Malagën, Espanjolin e Saragozën.
Për këtë të fundit po luan sezonin e dytë radhazi, dhe pikërisht në përballjet e këtyre kohëve sikur është rikthyer Keidi Bare i dikurshëm.
Futbollisti 28-vjeçar shqiptar, që ka veshur fanelën e kombëtares në 29 ndeshje e ka shënuar dy gola, ka kaluar operacionin e apendicitit dhe ka qenë titullar në katër sfida radhazi.
Kjo ka përkuar edhe me atë që Saragoza ka filluar të marrë rezultate pozitive.
Ka fituar 1-0 në shtëpi ndaj Hueskës, 2-1 në fushën e Eibarit, 3-2 në stadiumin e vet ndaj Leganjesit, dhe së fundmi barazoi 1-1 në Malagë.
Kjo ka bërë që vërtet ende të mbetet në vend të fundit, por diferenca me zonën e mbijetesës është zvogëluar në vetëm dy pikë.
Bare ka qenë në fushë gjithsej 304 minuta në 4 ndeshje, me mesataren shumë të mirë prej 75 minutash për çdo duel.
Shqiptari ka marrë vlerësime nga trajneri Ruben Selesh, i cili thotë se është lajm shumë i mirë që Keidi është në këtë formë.

