Luan Rama ka bërë reagimin e parë pas dështimit në Vlorë për t’u kthyer me mandat deputeti në Tiranë. “Luftës” brenda partisë, por edhe asaj përballë kundërshtarëve, zv/ kryetari i LSI-së i ka dhënë përgjigje përmes një poezie.
Postimi i plotë i Luan Ramës
NJË POEZI PREJ MIKUT TIM,
POETIT HAMIT ALIAJ
Poezia është shpikja e parë pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha, ka shkuar një studiues serioz i saj.
Pasioni im për poezinë është ndërkaq po aq jetësor sa vetë gjuha, ndaj më pëlqen që hëraherës t’ju ftoj edhe ju të shijoni ( sepse poezia shijohet, nuk lexohet ) poezitë që unë i zgjedh ndër poetët tanë më të shquar.
Sot po ju ofroj një poezi prej mikut tim, poetit Hamit Aliaj, arti i të cilit e bën atë ndër bartësit e përgjegjësisë bashkë me Ilirian Zhupën, Rudolf Markun, Preç Zogajn e ndonjë tjetër, për të na dëshmuar se poezia e shkruar në shqip, ka poetë që ia mbrojnë nderin dhe që e nderojnë me shumë dinjitet edhe sot, jo vetëm si pasardhës të Dritëroit, Kadaresë, Arapit, Dhori Qiriazit, Xhavahir Spahiut etj, por më shumë si vazhdues e pasurues të një mozaiku vlerash të qenësishme për kulturën tonë kombëtare.
FAJE DRUNI
Nga Hamit Aliaj
Ai nuk shkoi asnjë ditë në luftë.
Kur ajo mbaroi dhe flitej për të munguarit,
I shpalli tradhtare të gjitha pemët:
Pse ju çelët lule
Edhe në kohë të robërisë ?!
Me sakicë në krah , një nga një i pret.
Me drunin e tyne gdhend
Të dekun prej druni,
Që del e i shet
Në emën të historisë…
/Abcnews.al