KE: Italia ka shkelur rregullat fiskale të BE-së

schedule19:00 - 5 Qershor, 2019

schedule 19:00 - 5 Qershor, 2019

Komisioni Europian ka akuzuar Italinë se ka shkelur rregullat fiskale të BE-së, pasi nuk ka përmbushur zotimet për reduktimin e deficitit buxhetor. Një deklaratë e tillë i hap rrugë nisjes së procedurës për vendosjen e sanksioneve ndaj Italisë.

Komisioni Europian deklaroi të mërkurën se Italia me rritjen e borxhit të saj ka shkelur rregullat e BE-së, duke i hapur rrugë kështu nisjes së procedurave disiplinore që mund të çojnë në një debat të gjatë me Romën zyrtare. Brukseli insiston se procesi mund të ndalej nëse Roma do të kishte ndryshuar kurs, por reagimi i parë nga qeveria italiane tregon se ka fare pak vullnet për ta rishikuar nivelin e buxhetit. Italia shmangu të njëjtën procedurë në dhjetor të vitit të kaluar, duke u zotuar se në 2019-n do të reduktonte deficitin. Por, pasi shifrat e reja nuk përputhen me ato të angazhimeve të saj, Komisioni u rikthye të mërkurën në kundërsulm, duke deklaruar se vendi nuk ka bërë sa duhet për të ulur nivelet e borxhit.

Megjithatë, komisioneri i BE për Euron, Valdis Dombrovskis deklaroi se të paktën sot nuk do të nisë një procedurë kundër Italisë, duke nënvizuar se hapa të mëtejshëm duhen ndërmarrë në mënyrë që të nisë procesi. Konkretisht, shtetet e Bashkimit Europian në dy javët e ardhshme duhet të mbështesin argumentet e parashtruara nga Komisioni, se procedura është e justifikuar.

Pas kësaj, Brukseli mund të rekomandojë nisjen e procedurës, që mund të ndodhë përpara takimit të ministrave të Financave që mbahet në fillim të korrikut. Komisioneri i BE për Ekonominë, Pierr Moskovici deklaroi se dyert janë të hapura për të ndryshuar perspektivën, nëse Italia merr përsipër përgjegjësitë. Procedura ndaj Italisë mund të çojë në sanksione financiare dhe një mbikëqyrje më të rreptë të financave publike të vendit./ABC News Albania 24/7