Vendet e Bashkimit Europian tani duhet të përqëndrohen në investimet e shëndetit publik dhe në mbrojtjen e vendeve të punës dhe kompanive, dhe të shqetësohen më vonë për çeshtjet fiskale, tha Komisioni Europian të mërkurën.
Në rekomandimet vjetore për 27 vendet anëtare, krahu ekzekutiv i BE-së deklaroi se Unioni duhet të koordinojë qasjen e tij ndaj rimëkëmbjes ekonomike sapo pandemia e koronavirusit të ketë kaluar.
Hendeqet buxhetore në të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Bullgarisë do të zgjerohen përtej limitit prej 3 për qind të GDP-së së brendshme, teksa qeveritë po i përdorin paratë publike për të ngritur ekonomitë që pritet të pësojnë rënien më të thellë të këtij viti.
“Mesazhi ynë është i qartë: Ne rekomandojmë që të gjitha Shtetet Anëtare të marrin të gjitha masat e nevojshme për të adresuar në mënyrë efektive pandeminë, të mbështesin ekonominë dhe të mbështesin rimëkëmbjen që vjen pas kësaj “, tha Komisioneri Europian për Ekonominë dhe Çështjet Financiare Paolo Gentiloni./abcnews.al