Kazakistan: Shpallet gjendja e jashtëzakonshme pas protestave për karburantet

schedule04:44 - 5 Janar, 2022

schedule 04:44 - 5 Janar, 2022

Presidenti i Kazakistanit ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme dy javore në disa pjesë të vendit pasi protestat për rritjen e çmimit të karburantit u bënë të dhunshme. Demonstrata të mëdha u raportuan në disa pjesë të vendit. Policia në qytetin më të madh të vendit Almaty përdori gaz lotsjellës për të frenuar turmat pasi dogjën automjetet.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha gjatë një fjalimi të tij të martën që sulmet ndaj zyrave të qeverisë ishin të paligjshme. Ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin Almaty dhe provincën perëndimore Mangistau. Masat emergjente do të përfshijnë një shtetrrethim gjatë natës dhe ndalim të tubimeve masive sipas dokumenteve zyrtare të cituara nga “Reuters”.

Demonstratat nisën pasi autoritetet e vendit të pasur me naftë hoqën kufijtë e çmimeve për gazin e lëngshëm që përdoret për automjetet duke shkaktuar një rritje të çmimeve. Mijëra protestues u mblodhën në Almaty të martën në mbrëmje. Sipas agjencisë së lajmeve “AFP” disa policë u plagosën gjatë protestave. Gjithashtu ka pasur ndërprerje të internetit në gjithë vendin.

Presidenti Tokayev në një postim të tij në Twitter tha se autoritetet do të kthejnë çmimet e ulëta të karburanteve në mënyrë që të sigurohet stabiliteti në vend. Ai u bëri thirrje protestuesve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe që do të mbajë një mbledhje qeverie ditën e mërkurë. Protestat në shtetin e Kazakistanit që mori pavarësinë në vitin 1991 nga Bashkimi Sovjetik janë të rralla.

Qyteti Zhanaozen ishte qendra e protestave në vitin 2011 raporton “BBC”. Të paktën 14 punëtorë nafte u vranë në përleshjet me policinë gjatë një proteste për pagat dhe kushtet e punës në vitin 2011. Qyteti dhe tani është një nga qendrat kryesore të protestës.

Presidenti Tokayev u zgjodh në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2019 që u kritikuan nga vëzhguesit ndërkombëtar. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!