Gjykata e Elbasanit ka dënuar me katër vite burg Behar Pemën, drejtuesin e automjetit i cili shtatorin e kaluar përplasi në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan, një tjetër automjet ku po udhëtonin katër vajza dy prej të cilave ndërruan jetë, Lusinda Garunja dhe Zheneta Qallia.
Nëna e njërës prej tyre ka shkruar në një status në rrjetet sociale e bija u përplas për vdekje në ditën e saj të lindjes. Ajo shprehet se ia lanë në dorë drejtësisë dhe nuk kërkuan vetëgjyqësi por jeta e tyre vlejti vetëm katër vite.
“Me 13 shtator ne ditelindjen tende Lusi, fryma e jeta jeme, ta moren jeten padrejtesisht… ne nje dite kur si cdo e re don me e gezu, ti me erdhe e pajete e veshun si nuse, ashtu si cdo nane don me e pa bijen e vet, por ne arkivolin e ftofte…
E dje ty e shoqen tande Xheni te vrane per se dyti… ia lame ne dore drejtesise e nuk kerkume vetegjygjesi, e jeta dy vajzave te vdekuna dhe e dy te tjerave qe shpetune nga dora e Zotit vlejti vetem 4 vite denim per autorin…
Si mundet me ndodh e si nuk permbyset kjo bote…. Edhe sa gjame duhet me ndodhe qe i papergjegjshmi me marre denimin e meritum e mos me e pesu edhe shum familje te tjera dhimbjen tone!!!!!”, shkruan ajo.
Behar Pema, shoferi i automjetit tip ”Benz” që goditi nga pas makinën ku udhëtonin katër vajzat ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 160 km në orë. Sipas ekspertëve auto-teknikë ai nuk ka frenuar, pasi gjatë ekspertimit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur shenja frenimi. Pema rezultoi i dehur në testin e alkoolit të kryer menjëherë pas ngjarjes dhe u vu në pranga nga uniformat blu. m.v//abcnews.al