Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja me armë mbrëmjen e djeshme në lagjen “1 Maji” në Kuçovë, ku mbeti i plagosur 45-vjeçari Admir Bejo.
Burimet policore bëjnë me dije se nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave që ndodheshin në rrugën kryesore të lagjes “1 Maji”, është bërë e mundur zbulimi i kronologjisë së plagosjes.
Mësohet se plagosja e Bejos nuk ka lidhje me larje hesapesh për ngjarjen e ndodhur në vitin 2007, kur ai dhe vëllai i tij Ilija Bejo plagosën me armë duke dalë nga hyrja e pallatit dy vëllezërit Kundja, raporton abcnews.al.
Plagosja e djeshme ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit të Admir Bejos me një banor tjetër të lagjes “1 Maji”, që banonte shumë pranë banesës së tij, pikërisht 200 metër nga vendi ku Bejo u gjet i shtrirë në rrugë.
Burimet policore konfirmojnë se konflikti mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesën e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin Admir Bejo.
Bejo ka ikur me vrap për të dalë nga banesa e autorit dhe në dalje është qëlluar edhe dy herë të tjera po plumbat nuk e kanë zënë.
Pasi ka ecur disa metra Bejo ka rënë në tokë, ku edhe është gjetur i shtrirë nga një kalimtar që ka njoftuar policinë.
Lexo edhe: E plagosën me armë në Kuçovë, 45-vjeçari niset me urgjencë drejt Tiranës, plumbi ende në trup
Burimet policore bëjnë me dije se është identifikuar autori i plagosjes dhe po punohet për kapjen e tij.
Abc mëson se bëhet fjalë për 36-vjeçarin E.R.
Policia konfirmon se nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Burime nga lagjja “1 Maji” ku ishte edhe zona ku u gjet i plagosur Bejo, konfirmojnë se ky i fundit ishte përdorues i rregullt i lëndëve të forta narkotike dhe për këtë arsye mashtronte e u merrte lekë borxh njerëzve që njihte.
Sipas banorëve të lagjes, Bejo kishte degraduar dhe konfliktohej me këdo që i dilte para,edhe pa asnjë shkak./Abcnews.al/