Ditën e sotme është luajtur edhe java e parë e Kategorisë së Dytë. Në grupin A ra në sy fitorja e pastër e Shkumbinit jashtë fushe me Tërbunin. Ekipi peqinas realizoi tre herë në pjesën e parë, duke siguruar tre pikë tepër të rëndësishme.
Triumf jashtë fushe edhe për Shënkollin, që iu fal golit të Cekut për të thyer Mirditën. Suksese shtëpiake për Luzin dhe Sopotin, që mposhtën 2-0 dhe 5-1 ekipet e Gramshit dhe Bulqizës. Takimi tjetër mes Internacional dhe Valbonës përfundoi në barazim 1-1.
Në grupin B u shënuan 17 gola. Goli i Miranit 4 minuta përpara fundit të ndeshjes, i dha tre pikët Butrintit në Patos kundër Albpetrolit vendas. Me tre pikë u kthye në shtëpi edhe Naftëtari. Skuadra kuçovare fitoi 0-2 kundër Memaliajt, teksa Maliqi triumfoi 1-3 në stadiumin e Delvinës.
Këlcyra e nisi me tre pikë pas suksesit 3-1 me Skraparin. Në dy ndeshjet e tjera u regjistrua i njëjti rezultat, 2-1. Përmeti mposhti Gramozin në shtëpi falë dy penalltive të kthyera në gola, teksa me të njëjtin rezultat fitoi edhe Devolli përballë Tepelenës, që mori tre pikët falë golit të Meçollarit në minutën e 85′. /abcnews.al