Kategoria e Dytë/ “Poker” i Tërbunit dhe Ilirisë, festojnë Devolli me Maliqin

schedule16:17 - 21 Shkurt, 2021

schedule 16:17 - 21 Shkurt, 2021

Futboll i fortë dhe gola edhe në Kategorinë e Dytë. Tërbuni fitoi 4-1 në shtëpi ndaj Adës, me Kekon që ishte heroi i ekipit pukjan me tre golat e realizuar. Baholli kompletoi suksesin me “poker” të Tërbunit, teksa Frroku gjeti golin e nderit për Adën.

 

Rezultatet e ditës së sotme

Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Iliria në sfidën tjetër të grupit A. Ekipi nga Fushë Kruja mposhti 1-4 Valbonën jashtë fushe. Berisha kaloi vendasit në avantazh në pjesën e parë, teksa Iliria nuk u përmbajt në 45 minutat e dytë, duke shënuar plot katër gola.

 

Renditja e grupit A

Grupi A vijon të kryesohet nga Shkumbini me 25 pikë. Në vend të dytë Sopoti me katër pikë më pak, teksa më pas vjen Luzi me 20 pikë. Tre ndeshje u zhvilluan edhe në Grupin B të kësaj Kategorie. Fitore jashtë fushe për Maliqin dhe Devollin, teksa Permeti-Delvina u mbyll pa gola.

 

Renditja e grupit B

Maliqi iu fal golit të Kames në pjesën e parë për të dalë me tre pikë nga transferta në Patos kundër Albpetrolit. Feston edhe Devolli, ekipi tjetër juglindor që fitoi 0-2 në Këlcyrë. Butrinti mban vendin e parë me 25 pikë dhe ndiqet nga Labëria, Maliqi dhe Devolli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!