Tomori zgjidhi gjithçka në pjesën e parë dhe fitoi 4-0 përballë Delvinës. Të katër golat e duelit të zhvilluar në Berat u shënuan në pjesën e parë dhe Tomori kryeson grupin B të Kategorisë së Dytë me 22 pikë.
Po aq numëron edhe Albpetrol. Ekipi nga Patosi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në Çorovodë përballë Skraparit vendas. Një gol i Tahirllarit në minutat shtesë i dhuroi tre pikë të rëndësishme Maliqit. Vendasit mposhtën Gramozin 2-1 dhe tani renditen në vend të tretë me 21 pikë.
Triumf i lehtë për Butrintin në shtëpi. Ekipi sarandjot fitoi 3-0 përballë Përmetit dhe pozicionohet në vendin e katërt. Naftëtari u tregua i papërmbajtshëm kundër Selenicës, të cilën e mposhti me rezultatin e thellë 8-2. Tre pikë të rëndësishme mori edhe Memaliaj në transfertë kundër Këlcyrës. 0-2 fituan miqtë dhe renditen në vend të gjashtë me 15 pikë.
Sot u zhvillua edhe ndeshja e grupit A midis Internacionalit të Tiranës dhe Partizanit B. “Demat” fituan 0-3 me golat e Berdufit (shënoi dy herë) dhe Llanajt. Ky suksese e ngjit Partizanin B në vend të shtatë me 13 pikë, ndërsa Internacional ndan vendin e fundit me Kamzën. /abcnews.al