Plot 27 gola ka prodhuar java e shtatë e Kategorisë së Dytë në grupin B. Albpetrol nuk njeh rivalë dhe siguroi fitoren e gjashtë rresht (ka për të zhvilluar një ndeshje më shumë). Ekipi nga Patosi përmbysi avantazhin e shpejtë të miqve, Prifti shënoi dy herë dhe i dhuroi triumfin e radhës Albpetrolit.
Butrinti reagoi pas barazimit me Delvinën dhe shkatërroi Këlcyrën 5-2. Ekipi sarandjot ndan vendin e dytë me Maliqin (ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar) me nga 14 pikë dhe vazhdon ndjekjen e Albpetrolit.
Tomori ishte i vetmi ekip që festoi jashtë fushe. Ekipi beratas fitoi 1-2 në Ersekë përballë Gramozit vendas dhe numëron 13 pikë. Po aq pikë ka edhe Delvina, që triumfoi me “poker” golash kundër Selenicës së vendit të fundit.
Fitore shtëpiake arritën edhe Permeti me Memaliajn. Permeti reagoi pas humbjes me kryesuesit dhe mposhti Skraparin 2-1 në qytetin e luleve. Gola dhe emocione në Memaliaj. Vendasit ia dolën të marrin 3 pikët kundër Naftëtarit, të cilin e mposhtën 3-2. /abcnews.al
Rezultatet e Kategorisë së Dytë
Java e shtatë, grupi B
Butrinti – Këlcyra 5-2
Permeti – Skrapari 2-1
Gramozi – Tomori 1-2
Memaliaj – Naftëtari 3-2
Albpetrol – Tepelena 2-1
Delvina – Selenica 4-2