Edhe ai është një bir emigranti. Kombëtarja shqiptare e ka të tillë shumicën e lojtarëve, përveç atyre nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, ndërsa ky portier pritet të jetë e ardhmja. Elhan Kastrati bëri një tjetër paraqitje shumë të mirë në Serie B italiane, duke qenë shpëtues për ekipin e tij, Cittadella.
Sfida ishte në fushën e Ascoli, dhe përfundoi në barazim 0-0, ndërsa gardiani “Kuqezi” e realizoi detyrën siç duhet. Kuptohet që vendasit sulmuan më shumë dhe goditën më shpesh drejt portës, por ata nuk mundën të shënonin. Kastrati është 26 vjeç, një moshë që për portierët konsiderohet e re, dhe padyshim e ka përpara gjithë karrierën.
Ai vlerësohet si një nga 4 më të mirët e rolit të tij në kategorinë e dytë italiane, dhe padyshim që shpejt do ta shohim në Serie A. Vlera e kartonit prej 1.5 milionë eurosh nuk besohet se do të jetë një pengesë.
Kastrati ka pësuar 18 gola në 18 ndeshje, por ka mbajtur 6 herë rrjetën të paprekur tek Cittadella. Është e sigurt se ai do të jetë e ardhmja e kombëtares pas largimit të Etrit Berishës dhe Tomas Strakoshës. /abcnews.al