Kartoni i kuq ndaj Genoa, Vlahovic pritet të gjobitet nga Juventus

schedule10:48 - 18 Mars, 2024

schedule 10:48 - 18 Mars, 2024

Vetëm 7 pikë nga tetë ndeshjet e fundit dhe kjo situatë dëshmon më së miri momentin e vështirë që po kalon Juventus, nga pretendent për titull, tashmë ka dorëzuar edhe vendin e dytë.

Barazimi ndaj Genoa ishte një tjetër dëshmi e radhës që bardhezinjtë janë larg formës që shfaqën në fundin e vitit 2023, teksa edhe nervozizmi po nxjerr kokë gjithnjë e më shumë mes lojtarëve të Allegrit.

Në sfidën e mesditës së të dielës ishte serbi Vlahovic, që pasi mori një karton të verdhë në fund të ndeshjes, protestoi ashpër ndaj arbitrit, duke e detyruar atë t’i japë edhe një të verdhë tjetër e si rrjedhojë të kuqin.

Natyrisht një ndëshkim lehtësisht i shmangshëm për serbin, që komplikon tërësisht situatën te Juventusi, me bardhezinjtë që për sfidën e radhës ndaj Lazios në kampionat nuk do të kenë në dispozicion as polakun Milik, që është i dëmtuar.

Ndërkohë media pranë klubit torinez bën me dije se kartoni i kuq i Vlahovic nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Juventusit, që pritet t’i vendosin një gjobë të majme serbit, pikërisht për papërgjegjshmërinë e treguar./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!