Vështirë se një mesfushorë i tillë do të “bekojë” sërish futbollin kroat. Luka Modric është thuajse në fundin e një karriere të gjatë e “magjike’, të cilën e kurorëzoi me “Topin e Artë”, në vitin 2018, mirëpo duket se “aventura” e tij në futbollin e luajtur është drejt “perëndimit”, ku pavarëisht rinovimit me “Galaktikët”, nuk përjashtohet as mundësia e tërheqjes përfundimtare nga futbolli.
Prej 11 vitesh, 38-vjeçari kroat ishte “dirigjenti” i mesfushës së Real Madrid, mirëpo duket se këtë vit pozitat kanë ndryshuar goxha, me “numrin 10”, që nuk ka grumbulluar më shumë se 1400 minuta këtë sezon në fushën e blertë, këto përgjatë 28 përballjeve, numër ky shumë i ulët, për një lojtar, që vetëm një sezon më parë ishte titullar i padiskutueshëm.
Megjithatë, pavarësisht së gjithave, tekniku, Carlo Ancelotti e vlerëson shumë kapacitetin e tij jo vetëm si një lojtar, por duke parë vizionin dhe krijimtarinë e Modric, në fushën e blertë edhe si një trajner të ardhshëm e të dalësh nga “shkolla” Ancelotti do të ishte një nder i madh edhe për vetë kroatin.
Sipas raportimeve më të fundit, të mediave spanjolle, Ancelotti dëshiron që Modric të jetë pjesë e ekipit të trajnerëve në stol dhe i ka ofruar për të punuar në stafin e tij si ndihmës që nga sezoni i ardhshëm nëse vendos të tërhiqet nga futbolli i luajtur në përfundim të këtij edicioni, mirëpo deri më tani gjithçka është refuzuar nga kroati, i cili mendon se ka ende “gjunjët” për të përballuar ritmin e “Galaktikëve”. /i.m /abcnews.al