Karikimi i Ronaldos: Do ia dalim, edhe mua më thanë që nuk do mund të ecja më

schedule15:57 - 26 Prill, 2020

schedule 15:57 - 26 Prill, 2020

Ronaldo është rrëzuar shumë herë në karrierën e tij, por gjithmonë e ka gjetur forcën të ringrihet. Flasim për brazilianin, i cili humbi disa vite të karrierës së tij për shkak të dëmtimeve të rënda.

Sot mban postin e presidentit të Valladolid dhe në letrën e dërguar tifozëve të skuadrës spanjolle ka zgjedhur t’u rrisë moralin në këtë periudhë absurde dhe tepër të vështirë të shkaktuar nga koronavirusi.

“Jemi të ndarë fizikisht, por jam i bindur që nuk kemi qenë kurrë kaq afër njëri-tjetrit. Futbolli më ka mësuar shumë gjëra. Kur pësova dëmtimin tim më të rëndë në gju, më thanë që nuk do të mund të ecja më. Fillova të luftoj për të ndryshuar mendimin e mjekëve.

Doja t’u tregoja të gjithëve që mund të bëja atë që dëshiroja. Ai moment erdhi, ndoshta ishte më emblematiku i karrierës time. Shënova dy gola kundër Gjermanisë në finalen e Kupës së Botës së vitit 2002 në Japoni. Në Brazil u cilësua si shenjtërimi i rikthimit tim.

Jam i sigurt që edhe ti, kur të kthesh kokën pas, do të kujtohesh sa herë je ringritur, do të kujtohen të gjithë betejat që ke kapërcyer për të bërë të pamundurën e mundur dhe për të arritur atje ku jeni, kush jeni. Do të dalim së bashku më të fortë nga kjo situatë”, përfundon Ronaldo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!