Zyrtarja amerikane, Karen Donfried ndodhej në Tiranë 4 ditë më parë për një vizitë zyrtare. Teksa zhvilloi takime me kryeministrin Rama dhe përfaqësuesit e PD, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, shmangu takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit.
Sali Berisha në një konferencë për mediet ditën e sotme e cilësoi takimin e saj me demokratët si një “lojë kukullash.”
Gazetari: Zyrtarja amerikane zhvilloi takime me Alibeajn, Bardhin dhe Tabakun, por jo me ju. A besoni se qëndrimet e SHBA-së ndaj jush janë vetëm një agjendë e ambasadores amerikane në Tiranë?
Lexo edhe: Pse nuk e takuat Berishën? Donfried: Qëndrimi i SHBA i qartë, nuk kemi punë me non-gratat
Berisha: Po të kthehemi në dhjetor zoti Escobar takoi Lulzim Bashën dhe jo vetëm kaq, po fiksoi dhe një takim në Uashington me të. kësaj here erdhën takuan pasardhësin e Bashës. Do thosha unë përsëri ato që kam thënë. Loja me kukulla nuk është një lojë serioze dhe nuk funksionon në Shqipëri. E majta shqiptare, e majta e SHBA apo në mbarë botën kurrë nuk do mund t’i caktojë kryetarin dhe udhëheqjen forcës politike demokratike të Shqipërisë.
Ndërsa Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, e pyetur se pse nuk e takoi Sali Berishën tha se qëndrimi i SHBA-së është i qartë.
“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë”, u shpreh zyrtarja./abcnews.al/