Kosova e mbylli me humbje fazën eliminatore për Euro 2020, por Dardanët kanë edhe një shans për t’u kualifikuar dhe realizuar ëndrrën e madhe. Në mars do të zhvillohen gjysmëfinalet e Nations League dhe përballë do të jetë Maqedonia e Veriut.
Amir Rrahmani tregon problemin në humbjen 0-4 kundër Anglisë. Në prononcimin e dhënë për SuperSport Kosova, kapiteni vlerëson lojën e skuadrës dhe e cilëson si të padrejtë rezultatin.
“Mendoj se na mungoi realizimi, pasimi i fundit dhe gjuajtjet e sakta. Ambienti ishte fantastik, kemi bërë lojë të mirë, luajtëm shumë më mirë se Anglia. Rezultati nuk është i drejtë për atë që treguam në fushë, por përballë kishim një skuadër të fortë. Na mbetet të përmirësohemi për gabime të vogla”, thekson mbrojtësi i Hellas Verona. /abcnews.al