Kapiteni De Ligt është ylli i ri i Ajaksit

schedule17:30 - 13 Prill, 2019

schedule 17:30 - 13 Prill, 2019

Një yll tjetër i madh ka lindur tek Ajaksi i Amsterdamit. Kapiteni 19-vjeçar, De Ligt, kërkohet nga klubet më të mëdhenj të Europës.

Në 13 shkurt të këtij viti u bë kapiteni më i ri në fazën me eleminim në Champions.

Ajaksi eleminoi Realin duke e mundur 4-1 në Madrdit, me një kapiten 19-vjeçar në udhëheqje.

Ky ishte Matijs De Ligt, mbrojtësi i qendrës me numrin 4, që është kthyer në lider në mënyrë krejt të parakohëshme.

Holandezi i ri e tregoi klasin e tij edhe në duelin tepër të vështirë ndaj Juventusit, po në Ligën e Kampionëve, ndonëse pati përballë gjigandë si Kristiano Ronaldo apo Mario Manxhukiç.

Ronaldo shënoi, por Ajaksi shmangu humbjen dhe shanset janë që të synojë kualifikimin për në gjysmëfinale, në ndeshjen e dytë në Torino.

Vetë De Ligti beson se skuadra e tij mund t’ia dalë, edhe pse nuk quhet aspak e favorizuar përballë kampionëve të Italisë.

Gjithsesi, e ardhmja e qendërmbrojtësit duket larg Amsterdamit.

Trajneri Erik Ten Hag thotë se kapiteni I tij do të shkojë tek Barcelona ose tek Bajerni I Mynihut, që sezonin e ardhshëm.

Në garë për shërbimet De Ligtit janë edhe Juventusit, Mançester Siti, apo ndoshta edhe Mançester Junajtidi e Paris SG.

Jo më kot në dhjetor të vitit të kaluar, ai mori çmimin “Djaloshi i Artë i Europës”, duke pasuar yllin e Francës, Kilian Mbape.

Një çmim i gazetarëve për lojtarët e rinj në Europë (U21), me pjesëmarrjen e mediave të shquara si Tutosport, Bild, L’Ekip, Frans Futboll, Marka,  apoTajmsi I Londrës.

Këtë sezon, ai ka shënuar 4 gola, duke shkëlqyer edhe në kampionatin holandez, në Kupën e Holandës, por edhe në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi ka shënuar gola në secilin prej këtyre kompeticioneve.

E ardhmja e tij duket e shkëlqyer edhe me Holandën, si pasardhës i mbrojtësve të mëdhenj Rudi Krol, Ronald Kuman dhe në krah të yllit të tanishëm Van Dajk.

De Ligti besohet se dëshiron të shkojë tek Barcelona, ndërsa kartoni i tij mund të kushtojë 90 milionë euro. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!