Kapet 21-vjeçari që ngacmoi seksualisht një të mitur. Arrestohen dhe 6 persona të tjerë

schedule12:02 - 5 Shkurt, 2021

schedule 12:02 - 5 Shkurt, 2021

Shtatë persona janë arrestuar nga policia të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Blutë bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe një 21-vjeçar i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur.

Materialet për shtatë të arrestuarit tashmë iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, gjatë patrullimit në rrugën “Petro Marko”, kanë konstatuar shtetasin A. Sh., të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni i Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 20 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Forca e posaçme “Shqiponjat”, në zbatim të Planit të Masave për goditjen e paligjshmërisë dhe evidentimin e personave që lëvizin me lëndë narkotike me vete, në Sauk, kanë ndaluar për kontroll mjetin me drejtues I. K. dhe pasagjerë shtetasit D. K., R. A dhe E. A. Gjatë kontrollit të mjetit, në sediljen e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, e cila i përkiste shtetasit D. K. Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 22 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, si dhe shtetasve I. K., 21 vjeç, R. A., 21 vjeç dhe E. A., 19 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasi dyshohet se kanë pasur dijeni për lëndën narkotike që kishte shtetasi D. K. dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve ligjzbatuese.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Sh., 20 vjeç, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, punonjësit e policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një armë të ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. M., 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. M., 49 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Më datë 04.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit D. L., 21 vjeç, pasi ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tij dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme“, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!