Një problem në sistemin IT të Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës ka ndikuar sot në funksionimin e aeroportit të Eindhoven dhe disa shërbime publike në vend, mes tyre roja bregdetare dhe policia ushtarake.
Objektet e këtij aeroporti, i dyti më i madh në Holandë ndodhen brenda bazës ajrore ushtarake të Eindhoven.
Si rezultat, të paktën 14 fluturime do të anulohen, ndërsa të paktën tre do të nisen nga aeroporti Veetz i Gjermanisë, i cili është rreth 90 kilometra nga Eindhoven. Një fluturim do të niset nga Schiphol dhe një tjetër nga aeroporti i Brukselit.
Fluturimet e tjera do të vonohen.
Aeroporti kryesor i Holandës, Schiphol pranë Amsterdamit, po funksionon normalisht, por ndërprerja e energjisë duket se ka prekur shërbimet e tjera publike në vend.
Roja Bregdetare njoftoi se nuk është e mundur komunikimi me publikun, ndaj u rekomandoi qytetarëve që në rast emergjence të telefonojnë në numrin 112.
Qendra e kontaktit të Policisë Ushtarake Holandeze është prekur gjithashtu. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes holandeze vuri në dukje se të gjitha shërbimet e vendit, të cilat varen nga rrjeti i saj, mund të preken nga i njëjti problem.
Shkaku i problemit mbetet i panjohur, por burime në Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike thanë se aktualisht nuk ka asnjë indikacion për një sulm kibernetik.
/abcnews.al