Kanceri i prostatës konsiderohet si shkaku i dytë i humbjes së jetës tek meshkujt në të gjithë botën pas atij të mushkërive.
Për ta parandaluar shefi i Departamentit të Urologjisë në Spitalin Hygeia në Tiranë Spiridon Guvalis këshillon kryerjen e vizitave periodike tek mjeku specialist.
“Kryeni kontrolle te rregullta të prostatës, për meshkujt që kanë pasur familjarë të prekur nga kanceri i prostatës duhet që, check-up i prostatës duhet të fillojë nga mosha 40-45 vjeç, check-up ku përfshihen analizë urine, PSA dhe një eko të prostatës. Ndërsa kategoria e meshkujve që nuk kanë histori familjare me këtë sëmundje ne rekomandojmë që të kryejnë kontrollin e prostatës duke filluar nga mosha 50 vjeç e lartë të pakten 1 herë në vit.”
Mjeku Guvalis vëren rritje të ndërgjegjësimit tek pacientët shqiptarë ndërkohë rendit kontrollet e nevojshme.
“Sot dua edhe njëherë të rikthej vëmendjen dhe të nënvizoj rëndësinë që ka kryerja e kontrolleve të rregullta mjekësore urologjike kontrolle këto që përfshijnë kontrollet mjekësore të traktit urinar, kontrolli i veshkave, fshikëzës së urinës, të cilat rekomandohen që të kryhen si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt.
Ndërsa, përsa i përket në veçanti meshkujve do të doja të theksoja që krahas kontrolleve që përmenda më lartë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të kryejnë gjithashtu edhe kontrollet mjekësore të prostatës dhe të testikujve, kjo e fundit vlen sidomos për moshat e reja, sepse në këtë mënyrë mund të diagnostikojmë në kohë patologjite sidomos ato malinje duke rritur në këtë mënyrë ndjeshëm edhe shanset e trajtimit të suksesshëm të patologjive urologjike malinje”.
Nga përvoja e tij si mjek urolog në Shqipëri shefi i Departamentit të Urologjisë në Spitalin Hygeia në Tiranë Spiridon Guvalis ka konstatuar se shumë të përhapur janë dhe gurët në veshka. Këshilla e tij për këtë sëmundje është që përveç kontrolleve të rregullta të ndiqet dhe një dietë e shëndetshme ushqimore. /abcnews.al