Muaji tetor tashmë njihet si ‘tetori rozë’, i cili iu dedikohet femrave dhe sëmundjeve tumorale më të përhapura te to të tilla si kanceri i gjirit. Në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, mjekja onkologe në Spitalin Amerikan Daniela Bega u shpreh që ‘ ‘Kanceri i gjirit është kanceri më i përhapur te femrat, dhe ka një rritje të numrit të rasteve të reja dhe shkallë të lartë të vdekshmërisë’. Shfaqja e kësaj sëmundje sipas mjekes onkologe Bega ndodh për një sërë arsyesh të tilla si faktorët ambientalë apo dhe ata gjenetikë.
Parandalimi konsiston në përcaktimin e riskut që një femër ka që të preket nga kanceri i gjirit, dhe risku sipas mjekes onkologe Daniela Bega përcaktohet duke analizuar një sërë faktorësh, por mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që femrat të paraqiten te mjeku specialist, dhe jo të gjitha femrat kanë të njëjtin risk.
Më të rrezikuarat janë ato që kanë një histori familjare të kancerit të gjirit, gjë e cila do të thotë që kanë një predispozitë gjenetike, prandaj mjekët rekomandojnë dhe kryejnë testin gjenetik, i cili tashmë mund të kryhet edhe pranë Spitalit Amerikan.
Për ato gra që kanë një risk më të lartë ekzaminimet parandaluese fillojnë në moshën 35 vjec. Për gratë e tjera që kanë një risk mesatar ekzaminimet kryhen një herë në 3 vjet.
Ekzaminimi që Spitali Amerikan rekomandon është rezonanca e gjirit, sepse jep informacion më të detajuar se mamografia.
Sipas mjekes onkologe Bega ‘sa më vonë mund ta zbulojmë sëmundjen, do të vuajë dhe pasojat e vonshme të mjekimit, ky është gjithë qëllimi i parandalimit. Ne hasim në praktikën tonë klinike dhe raste të cilat nuk kanë histori familjare, mosha 30 – 35 vjec që është për të ardhur keq që nuk janë kapur në fazën fillestare por zakonisht vijnë në stadin e parë ose stadi i dytë dhe ka një sërë faktorësh që ndikojnë’.
Këshilla kryesore që ofroi mjekja onkologe Daniela Bega është që nuk duhen neglizhuar kontrollet periodike dhe të paraqiten te mjeku në kohën e duhur. /abcnews.al/