“Kancer i gjallë”, bashkia e paaftë, banorët e Fierit ikin me vrap, prej 3 ditësh jetojnë në tym

schedule16:52 - 29 Korrik, 2021

schedule 16:52 - 29 Korrik, 2021

Nga Valbona Davidhi

Temperaturat e larta dhe tymi i zi toksik, që mbuloi dhe këtë të enjte Fierin i detyroi kalimtarët të kryejnë me nxitim punët e tyre për  tu mbyllur më pas në shtëpi. Prej tre ditësh djegia e mbeturinave në fushën e grumbullimit në Sheq të Madh po shkakton një katastrofë ekologjike.

Tymi ndryshon drejtim në varësi të erës. Mësohet se gjatë këtyre tre ditëve është përhapur edhe në Patos, në fshatrat e Roskovecit. Këtë të enjte deri në Novoselë.

Zjarri që përfshiu fushën e mbetjeve paraditen e  së martës dhe vazhdon ende. Shkak dyshohet se janë bërë temperaturat e larta. 10 kamionë janë instaluar pranë kësaj fushe duke bërë mbulimin me dhe, si e vetmja mënyrë për të shuar ndezjen e plehrave por vatrat e zjarrit riaktivizohen vazhdimisht.

“ABC” pyeti drejtorin e Ndërmarrjes së Pastrimit, Arjan Ndreun i cili sqaroi se në këtë fushë janë mbledhur mbetje të të gjitha llojeve. Ato lëshojnë gaz metan dhe kur ndizen është e vështirë të shuhen. E vetmja mënyrë është mbulimi me dhé.

Impianti i përpunimit të mbetjeje ka qenë gati që në muajin prill, por Ndreu sqaron se ato do të dërgohen aty në fund të gushtit.  Sipas tij kjo nuk ka ndodhur më herët për shkak se ndërmarrja e pastrimit nuk kishte gati mjetet të posaçme për transportimin e tyre në incinerator dhe distanca mes tij dhe fushës është 10 km.

Arjan Ndreu gjithashtu thekson po bëhet gati dhe një terren tjetër për grumbullimin e mbetjeve pranë zonës së ish-Azotikut e cila do shërbejë si stacion për transportimin e plehrave që grumbullohen nga fshatrat, në Verri, aty ku ndodhet impianti.

Fusha e mbetjeve të Fierit është shpallur emergjencë mjedisore përpara 10 vitesh. Ajo është hapur 50 vjet më parë dhe shërbente për grumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit, në atë kohë me 20 mijë banorë. Tani kjo ‘bombe’ mjedisore grumbullon mbetjet e një bashkie me 200 mijë banorë./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!