Kancelari austriak Kurz në gjyq për dëshmi të rreme

schedule14:47 - 18 Gusht, 2023

schedule 14:47 - 18 Gusht, 2023

Ish-kancelari i Austrisë Sebastian Kurz është akuzuar për dëshmi të rreme, njoftoi zyra e prokurorit për krimet ekonomike dhe korrupsionin, e cila po heton skandalet korruptive që kanë tronditur Austrinë.

Kurz dha dorëheqjen mes skandaleve në tetor 2021 dhe që atëherë është zhdukur nga jeta politike. Është aktakuza e parë ndaj 36-vjeçarit që rrezikon deri në tre vite burg.

Sebastian Kurz akuzohet se ka gënjyer në vitin 2020 përpara një komisioni parlamentar që hetonte nëse ai kishte ndërhyrë në emërimin e një të besuari të tij, Thomas Schmidt, si kreu i një kompanie publike, sipas njoftimit të prokurorit kundër korrupsionit.

“Akuzat janë të rreme dhe ne presim që e vërteta të dalë në gjykatë”, tha Kurtz në një postim në Twitter (X).

Në një rast tjetër, Sebastian Kurz dyshohet se ka përvetësuar fondet publike për të financuar ngritjen e tij politike, duke bërë sondazhe të rreme dhe artikuj që e lavdërojnë atë.

Lidhur me këtë rast hetimet janë ende duke vazhduar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!