Kanadaja planifikon të hapë dy konsullata të reja. Një në Grenlandë dhe një tjetër në Anchorage të Alaskës, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar praninë e saj në rajonin e Arktikut, bëri të ditur të martën ministrja e Punëve të Jashtme, Anita Anand.
Kryeministri Mark Carney është zotuar të rrisë praninë ushtarake dhe të sigurisë së Kanadasë në Arktik, një rajon i ngrirë dhe i pasur me burime minerare, që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump, si edhe të fuqive rivale Rusia dhe Kina. Në një intervistë për Reuters, Anand theksoi se Arktiku përbën prioritetin kryesor të politikës së jashtme kanadeze.
“Ky rajon është jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht ndërsa shohim infrastrukturën ruse të zhvendoset gjithnjë e më në veri dhe ndërsa Kalimi Veriperëndimor po bëhet më i lehtë për t’u përshkuar për shkak të shkrirjes së akullnajave polare”, u shpreh ajo.
Kanadaja kishte planifikuar hapjen e një konsullate në Nuuk të Grenlandës në muajin nëntor, por kjo u shty për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Anand tha se ende nuk është caktuar një datë për hapjen e konsullatës kanadeze në Anchorage.
Më herët gjatë këtij viti, Donald Trump shkaktoi tensione mes vendeve arktike duke shprehur interes për blerjen e Grenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës. E pyetur se si po i përgjigjet Kanadaja këtij qëndrimi, Anand tha se ka zhvilluar bisedime me homologët e saj në vendet nordike për të siguruar që “të mos ketë asnjë keqkuptim mbi rëndësinë e Arktikut dhe, mbi të gjitha, mbi sovranitetin e Kanadasë”.
Ajo shtoi se së fundmi ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të cilit i ka kërkuar forcimin e burimeve të Aleancës në rajonin e Arktikut.
“Pyetja ime ishte: ‘Çfarë do të bëjë konkretisht NATO-ja?’, sepse Kanadaja është e vendosur të forcojë praninë e saj në Arktik”, tha Anand, duke iu referuar planeve të kryeministrit Carney për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit dhe në 5 për qind deri në vitin 2035.
Anand njoftoi gjithashtu se planifikon të ftojë një grup ministrash të jashtëm për të vizituar Arktikun kanadez gjatë verës së ardhshme.

