Kanada, arrestohen tre indianë për vrasjen e liderit separatist Sikh

schedule14:56 - 4 Maj, 2024

schedule 14:56 - 4 Maj, 2024

Tre shtetas indianë janë arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e një lideri separatist Sikh në Kanada, e cila shkaktoi një përçarje të madhe diplomatike midis saj dhe Indisë. Hardeep Singh Nijjar, 45 vjeç, ishte qëlluar për vdekje qershorin e kaluar nga persona të armatosur të maskuar në një park, në një periferi të Vankuverit, raporton BBC.

Mosmarrëveshja diplomatike u përshkallëzua pasi kryeministri kandez Justin Trudeau pretendoi se qeveria e Indisë mund të ketë qenë e përfshirë, mirëpo Delhi e mohoi akuzën. Në njoftimin e arrestimeve të premten, zyrtari Mandeep Mooker ka thënë se tre të dyshuarit janë Karan Brar, 22 vjeç, Kamal Preet Singh, 22 vjeç dhe 28-vjeçari Karan Preet Singh.

Hetuesit kanë punuar me homologët në Indi, por bashkëpunimi ka qenë “mjaft i vështirë dhe mjaft sfidues” për disa vite, thanë ata.

Policia ka thënë se mund të ketë të tjerë të përfshirë në vrasje dhe mund të ketë arrestime ose akuza të tjera. Nijjar ishte një udhëheqës separatist sikh që bëri fushatë publike për Khalistan – krijimin e një atdheu të pavarur sikh në rajonin Punjab të Indisë.

Në vitet 1970, sikhët nisën një kryengritje separatiste në Indi, e cila pa mijëra të vrarë përpara se të shuhej dekadën e ardhshme.  India në të kaluarën e ka përshkruar Nijjar si një terrorist që udhëhoqi një grup separatist militant- akuzat që mbështetësit e tij thonë se janë të pabaza. Ata thonë se ai kishte marrë kërcënime në të kaluarën për shkak të aktivizmit të tij. Ai u qëllua për vdekje në Guru Nanak Sikh Gurdwara në Surrey, një qytet rreth 30 km në lindje të Vankuverit më 18 qershor të vitit të kaluar.