Një 34-vjeçar me iniciale I.M. është arrestuar nga policia pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Vorë dhe në automjetin e tij është gjetur një sasi me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një shumë parash të cilat janë sekuestruar nga uniformat blu.
Në lidhje me këtë çështje, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët se një shtetas posedonte në banesën e tij dhe në automjetin me të cilin qarkullonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi I. M., 34 vjeç, banues në Vorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën një sasi me lëndë narkotike kanabis, një sasi me lëndë narkotike resinë (nënprodukt i kanabisit), një peshore elektronike, një shumë parash dhe një aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./mv.abcnews.al