Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës meakuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Abc mëson se në kuadër të operacionit “Supplier 3” u arrestuan shtetasit
Devis Kovaci, 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
Dashamir Kovaci, 48 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrolleve fizike ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 700 gram sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, lëndë e dyshuar kanabis e ndarë në doza, gati për shitje, dy peshore elektronike dhe qese farmaceutike që shërbejnë për ndarjen e lëndës narkotike në doza. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit D. K., 26 vjeç, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 përforcues grushti (doreza metalike).
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta 2 shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike cannabis sativa në sasi të mëdha, e ndanin atë në doza të vogla dhe më pas e shisnin pranë shkollave, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjithashtu u arrestuan:
Ilir Vata, 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 48-vjeçari e shpërndante lëndë narkotike heroinë në disa zona të Tiranës;
Henri Pipero, 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, e ndante atë në doza dhe e shiste në zona të ndryshme të Tiranës.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasve të arrestuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Abcnews.al/