Kampusi i ri Universitar, Rama: Kemi hyrë në një proces transformimi të arsimit të lartë

schedule17:07 - 19 Janar, 2019

schedule 17:07 - 19 Janar, 2019

Katër  vite pas shpalljes së kompanisë fituese italiane që përfaqesohet Pier Paolo Tambureli, partner i kahershëm i Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama prezantoi projektin për kampusin universitar që do të ndërtohet  në “Qytetin Studenti” në Tiranë.

Arsyeja pse u desh kaq kohë për të nisur punën sipas shefit të qeverisë është zaptimi i territorit.

Gishtin e akuzës kryeminsitri e drejtori nga politikanë pjesë e Partisë Demokratike të cilët sipas tij regjistruan pronat në emër të tyre.

 “Tokë e xanun nga politikanët e partisë që lindi këtu, në Qytet Studenti. Morën nga studentët energjinë e madhe, për të transformuar Shqipërinë nga një regjim komunist në një demokraci dhe ajo që bënë për Qytetin Studenti ishte thjesht t’i merrnin dhe pronat. Nga viti 1990 deri në ditët tona, në Qytetin Studenti kanë ndodhur disa ndërhyrje mikroskopike, siç është përshembull, ndërhyrja e përmirësimit të kësaj salle, apo ndonjë gjë tjetër, por nuk është bërë asgjë për të përballuar ndryshimin e madh që njëkohësisht ka shoqëruar procesin e transformimit shoqëror, me rritjen e numrit të studentëve. Në të njëjtat godina prezumohet se do strehohet një numër shumë më i madh studentësh. Ashtu sikundër ka ndodhur dhe me universitetin në tërësi. Simboli i këtij zaptimi është marrja e mensës së madhe të Qytetit Studenti, nga vëllai i një presidenti republike, ose më saktë, nga Presidenti i Republikës për vëllain, se po të ishte vëllai vetëm, pa presidentin, nuk do merrte dot as një lugë, jo të merrte gjithë mensën dhe kthimi i mensës në loto”.

Që këto territore t’i kthehen “Qytetit Studenti” qeveria duhet të shpronësojë pronarët.

“Pasi e përdhunuan Qytetin Studenti për kaq shumë vite, me loto e me klube striptizmi, tani do t’i marrin edhe paratë me të cilat mund të rindërtoheshin gjithë këto hapësira, sepse janë pronarë që duhen shpronësuar”.

Kryeminsitri Rama premton se Kampusi Universitar do të jetë gati brenda mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë. Premtim që duket dhe si një rikonfirmim i Erion Veilajt për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Ajo që mbetet ambicia jonë është që brenda këtij mandati, të gjitha konviktet të jenë në një situatë katërcipërisht ndryshe dhe ndërkohë, sëbashku me Bashkinë e Tiranës, ne të fillojmë ndërtimin e këtij Kampusi dhe brenda mandatit tjetër të Kryetarit të Bashkisë, ne të përfundojmë Kampusin universitar”.

“Ajo që konsiston në Kampusin e ri ka të bëjë së pari më shtimin e 11 godinave në qytetin studenti. Fokusin më të madh do ta kemi në ato që quhen hapësira të përbashkëta. Planifikojmë që të ndërtojmë një megabibiliotekë, tjetra është menca”.

Kjo sipas Kryeministrit është një fazë transformimi i arsimit lartë por ndërsa po shprehej së bazë për të është ligji një zë u dëgjua nga salla… Një studente u dëgjua të kërkonte plotësimin e kërkesave ndërsa i thotë Kryeministrit se paguhet nga taksat e qytetarëve. Ky i fundit i tregon derën. Sa i  përket Ligjit të Arsimit të Lartë Kryeministri tregohet i prerë..

“Kontradikta mbi ligjin e Arsimit të Lartë është një kontradiktë që nuk rri as në qiell, as në tokë. Është njësoj si të thuash meqenëse njerëzit nuk lidhin rripin e sigurimit, të heqim ligjin për rripin e sigurimit dhe të bëjmë një ligj tjetër, që t’i lidhim, nuk e di në çfarë forme, njerëzit”.

Ndërsa për kërkesat e studentëve Kryeministri thotë se po marrin zgjidhje përmes paktit për universitetin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!