Boston nuk ndalet dhe i dërgon një tjetër mesazh të gjithë rivalëve se do ta kenë të vështirë t’i rrëmbejnë titullin kampion në NBA.
Sëlltiks shënuan fitoren e katërt në po aq ndeshje të luajtura në këtë sezon, duke kaluar me sukses edhe sfidën e parë të madhe në Konferencën e Lindjes kundër Miluoki Baks.
Kampionët në fuqi imponuan rezultatin 119-108, falë një tjetër paraqitje të shkëlqyer të Xhejlon Braun, autor i 30 pikëve. Por të zotët e shtëpisë duhet të krenohen edhe me lojtarët e stolit, që sa herë u thirrën në aksion bënë më të mirën, duke shtuar 30 pikë të tjera në suksesin e Boston. Nga ana tjetër, për Baks nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer e Damien Lillard dhe Janis Antentokoumpto. I pari shënoi 33 pikë, ndërsa tjteri mbylli ndeshjen me dy shifra dopjo, 30 pikë dhe 10 topa të kapur në tabelë.
Nuk arrin të ruajë ritmin në Konferencën e Perëndimit, Los Anxheles Lejkërs.
Pas nisjes së shkëlqyer të sezonit, LeBron James dhe shokët e tij shënuan humbjen e parë në ndeshjen e katërt, duke u dorëzuar në transfertën e Feniks me katër pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 109-105.
Devin Buker dhe Kevin Durant bën ligjin në fushën e tyre, duke udhëhequr Sans drejt fitores. I pari shënoi 33 pikë, ndërsa 30 të tjera mbajnë firmën e të dytit.
Për Lejkërs, këtë herë nuk bëri punë Entoni Devis me 29 pikë dhe I pakapshëm poshtë tabelave me 15 ribaund. Një mbrëmje për t’u harruar ajo e Lebron, që mbylli ndeshjen me vetëm 11 pikë të shënuara.
Në sfidat e mbrëmjes së fundit në NBA, u kthyen te fitorja Dallas dhe Denver, dy skuadra favorite në konferencat e tyre respektive.