Që prej tetorit të vitit të kaluar të gjithë duken të çmendur pas shahut… Shkak një serial në Netflix, ku një vajzë jetime, super inteligjente, i’a del të mësojë këtë lojë dhe të sfidojë këdo, derisa rrëmbeu titullin e kampiones të botës. Në tre muajt e fundit bota ka kthyer sytë nga shahu. Raportohen një rritje me 60 përqind e industrisë së shahut në të gjithë botën që duan të mësojnë këtë lojë që renditet mes sporteve. Inteligjenca dhe sensualiteti i protagonistes së filmit është sfidues për shumëkënd.. Grackë ku bihet me dëshirë… Përjashtim nuk ka pse të ketë as për fillestaret.
Nëse e lejon, ai mund të flasë e të shpjegojë me orë të tëra lojën e shahut.
Kristian Naska me qëndrim e përqëndrim të një shahisti të vërtetë, duket të jetë një lojtar shumë premtues.
“Kam 3 vite që luaj shah. Në fillim më ka sjellë mami dhe tani e kam shumë qejf shahun. Jam më i vjetri në klasë dhe ndoshta prandaj ndodh që të fitoj më shpesh”.
Kjo klase shahu është e populluar vetëm nga djemtë, ku më i madhi prej tyre është afro 9-vjeç.
Në shumicën e rasteve prindërit janë ata që insistojnë që fëmijët e tyre të ndjekin kursin e shahut, pasi sipas tyre i ndihmon në përqendrim, rrit inteligjencën dhe përmirëson memorien. Enesi dhe Rejan janë dy vëllezër që loja e shahut i argëton pamasë.
Në fillim tregohen tolerantë ndaj njëri tjetrit, por kur lojën e fiton Enesi, Rejanin e kap pak xhelozia. Por vëllezërit mbeten vëllezër dhe e gjejnë gjithnjë rrugën drejt njëri tjetrit.
Loja e shahut ka një tendencë në rritje në vendin tonë, ku përvec benefiteve për mendjen, edhe argëtimi mes fëmijëve është I garantuar./abcnews.al