Kampionët e Evropës duan Olimpiadën, mundësit çeçeno-shqiptarë flasin pas suksesit europian

schedule12:56 - 23 Shkurt, 2024

schedule 12:56 - 23 Shkurt, 2024

Ashpërsinë e kanë vetëm në garë. Dy kampionët e shquar të mundjes shqiptare, rusët me origjinë çeçene Islam Dudaev dhe Zelimkhan Abakarov, janë aq shumë të sjellshëm saqë nuk dinë të ngrenë zërin, ndërsa intervistohen nga ABC News.

Ata u kthyen me triumf nga Kampionati Evropian në Bukuresht, ku Dudaev më në fund fitoi medaljen e artë, ndërsa tregon se i duhen ende pikë për në Lojrat Olimpike.

“Kampionati Evropian ishte shumë i rëndësishëm për mua, sidomos sepse më parë unë nuk kisha mundur të arrija një rezultat kaq të lartë. Është një fitore me shumë kuptim në prag të Lojrave Olimpike. Padyshim që u përgatita fort për këtë Evropian. Gjithmonë kisha parasysh se kohët e fundit pata mjaft dështime në rrugën time. Më në fund ia dola, ndërsa tani objektivi i radhës është në garat që do të zhvillohen në Baku. Dua që në këtë turne të fitoj të drejtën të përfaqësoj Shqipërinë në Lojrat Olimpike.”

Përveç Lojrave Olimpike, cili është synimi i radhës në karrierë?

“Kampion bote”

Abakarov ka qenë më i njohuri nga të dy pasi në 2022 u shpall kampion i botës.

Gjithsesi, ai është i zemëruar me veten këtë herë.

“Duhet ta dini se u përgatita fort për këtë kampionat. Natyrisht, nuk ishte e lehtë. Gjithmonë duhet t’i marrësh parasysh vështirësitë, sidomos kur përgatitesh për turne kaq të rëndësishëm. Mendoj se nuk mund ta quaj sukses atë që arrita, pasi ashtu si vitin e kaluar, unë mora vetëm medaljen e argjendit në Kampionatin Evropian. Jam shumë i zemëruar me veten që nuk fitova medaljen e artë.”

Abakarov është i kualifikuar që më parë për Lojrat Olimpike në Paris.

“Objektivi ynë i radhës janë Lojrat Olimpike. Jam shumë i motivuar, sidomos pas kësaj që ndodhi, dhe do të jemë shumë i përgatitur në Olimpiadë. Çdo medalje është e rëndësishme, pavarësisht nëse je në Evropian apo Botëror, ndërsa kryesore është medalja në Lojrat Olimpike. E arta olimpike do të ishte shumë e rëndësishme për mua.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!