Një nga vendet e Afrikës Qendrore, Kameruni, e kremton si festë kombëtare datën 20 maj 1972 kur rajonet frankofone dhe anglofone kaluan në një strukturë unitare së bashkë përkundër datës 1 janar 1960 kur e shpalli pavarësinë.
Populli i Kamerunit u nda në anglofonë dhe frankofonë për arsye se fuqitë koloniale diktuan kulturën dhe gjuhën e tyre për 45 vjet. Pasi arriti të shpallë pavarësinë në vitin 1961 vendi u detyrua të zgjedh një sistem federativ.
Qeveria në vitin 1972, duke pretenduar se struktura federative kushton, bëri një referendum për të kaluar nga sistemi federativ në atë unitar. 80 për qind e vendit është frankofon, ndërsa pas vendimit për të kaluar në sistem unitar emri i vendi u ndryshua në “Republika e Bashkuar e Kamerunit” dhe data 20 maj kur u kalua në sistemin e ri u shpall si “festë kombëtare”.
Sociologu kamerunian, Muhammed Pagna, në deklaratën për Anadolu tha se “Kameruni është i vetmi vend në botë që nuk e feston ditën e pavarësisë. Kjo ka fakte historike. Në vend të kremtimit të ndarë të Kamerunit anglez dhe atë francez, data 20 maj 1972 kur dy Kamerunet u bashkuan kremtohet si festë kombëtare”. Ai shtoi se qeveria e vendit nuk dëshiron të kujtojë dhe tua kujtojë pavarësinë e fituar me strukturë federative.
Sipas tij, rajoni anglofon ende e feston datën kur Kameruni ka kaluar në strukturë federative si ditë kombëtare dhe se problemet mes rajoneve anglofone dhe frankofone nuk janë zgjidhur, ndërsa problemet e ndodhura kanë sjellë në pah krizën më të madhe të vendit, “krizën anglofone”.
“Kriza anglofone”, trashëgimia e kolonialistëve
Dëshira e fuqive kolonialiste, Francës dhe Britanisë, për kolonizimin e Kamerunit me nxitim në vitin 1916 pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, krijoi bazën e krizës anglofone. Franca pushtoi pjesën lindore ose katër të pestat e Kamerunit, ndërsa Britania pjesën perëndimore duke e lidhur me koloninë e saj tjetër, Nigerinë.
Praktikat e ndryshme politike, administrative dhe ligjore të zbatuara nga Franca dhe Britania në rajonet që pushtuan shkaktuan ndarjen e vendit, i cili jetonte në paqe dhe qetësi para periudhës koloniale.
“Kriza anglofone”
Theksohet se faktori më i rëndësishëm që pengon zhvillimin në Kamerun është “kriza anglofone”, e cila është efektive në rajonet veriperëndimore dhe jugperëndimore. Në vendin ku ka më shumë se 250 grupe etnike dhe asnjë strukturë nuk është shumicë, si zonë konflikti del në pah faktori gjuhësor i periudhës koloniale “Anglofonia-Frankofonia”.
Emërimi i mësuesve dhe gjyqtarëve nga qeveria që nuk flasin anglisht në shkollat dhe gjykatat në këto dy rajone në vitin 2016 ngjalli zemërim në rajon. Me rritjen e demonstratave që nisën pas reagimeve, shpërtheu “kriza anglofone”.
Disa nga anglofonët, të cilët morën mbështetjen e diasporës anglofone në SHBA dhe vende të tjera, u armatosën dhe deklaruan se krijuan një shtet në rajonin veriperëndimor, të cilin e quajtën “Ambazonia”, më 1 tetor 2017.
Sipas të dhënave të fundit, në përleshjet mes ushtrisë dhe separatistëve në “krizën anglofone” kanë humbur jetën të paktën 6 mijë persona, kurse 800 mijë persona janë zhvendosur, prej të cilëve 40 mijë janë strehuar në vendet fqinje.