Nikoll Sherrniku, i cili ndodhet pas hekurave i dyshuar për vrasjen e efektivit të FNSH-së Xhulio Prela rezulton të jetë dorëzuar në policinë e Lezhës në datë 19 Dhjetor ora 16:00.
Ai është dorëzuar në policinë e Lezhës pasi gjykata e Lezhës i kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg katër ditë më parë, në datë 15 Dhjetor. Sherrniku ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen duke thënë se atë natë ka qenë në banesën e tij dhe nuk ka njohje me personin tjetër të shpallur në kërkim Brilant Martinajn.
Sherrniku punonte si mekanik makinash në Fushë-Kuqe të Kurbinit dhe ditën kur ka ndodhur ngjarja rezulton të ketë pasur edhe ditëlindjen. Ai do të paraqitet sot në gjykatë për rivlerësimin e masës së sigurisë e cila është dhënë në mungesë.
26-vjeçari Xhulio Prela, po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen./mv.abcnews.al