Ish-lojtari i Real Madrid, Royston Drenthe, është rikthyer për të luajtur në Spanjë por këtë herë me Racing Murcia, klub që militon në kategorinë e katërt. Në një intervistë për “Radio Marca”, ai e pranon se ka bërë shumë gabime më parë, por kërkon të tregojë dhe një herë se ka ende vlera.
“Unë kam shtatë fëmijë me katër gra të ndryshme dhe tani jam beqar. Dua t’i bëj gjërat hap pas hapit. Nuk jam gati për të luajtur akoma, pasi fillimisht duhet të humbas tre kilogramëve. Kam ardhur këtu për t’i treguar njerezëve se unë vlej akoma dhe do të shikoj se si do të përgjigjet trupi im. Nga e hëna do të filloj një dietë. Kam ngrënë shumë kohët e fundit, pasi tezet e mia gatuajnë shumë mirë”, deklaron holandezi.
“Real Madridi? Kam kujtime shumë të mira. Madridi është si shtëpia ime. Kisha shumë miqësi me Robinhon dhe me Gutin. Jeta e natës atje është shumë e bukur, por tashmë jam 33-vjeç dhe ato gjëra i përkasin të kaluarës. Nëse unë do të isha Florentino Perez do t’ia rinovoja kontratën Sergio Ramos deri në fundin e karrierës së tij”, përfundon Drenthe. /abcnews.al