Kaluan pa procedurë doganore 2,500 euro mallra, vijojnë punën të pa shqetësuar tre doganierë në Qafë Botë

schedule09:18 - 13 Gusht, 2021

schedule 09:18 - 13 Gusht, 2021

Pesë persona në Sarandë janë çuar për hetim për shkelje të procedurave të zhdoganimit. Tre prej tyre janë doganierë në pikën Kufitare të Qafë Botës.

Policia e Vlorës njofton se të proceduarit janë Ervis Mehmeti, me detyrë përgjegjës turni në pikën kufitare të Qafë Botës, Emiljan Barka me detyrë doganier, Artur Mahmujat me detyrë doganier, Anila Adhami dhe Stavri Deçka.

Personat më sipër akuzohen se, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar pa procedurë doganore, duke mos e kryer zhdoganimin në doganën Qafë Botë disa materiale ndërtimi me vlerë rreth 2,500 euro.

Këto mallra janë futur në Shqipëri më 9 gusht nga Greqia me automjetin me targa Greke IZX9941 i cili drejtohej nga Stavri Deçka.

Por, edhe pse tre punonjësit e përmendur më lart janë nën hetim për kontrabandë dhe kanë shkelur ligjin ata vijojnë punën e tyre në Pikën Kufitare të Qafë Botës pasi ky rast është fshehur nga hetimi tatimor.

NJOFTIMI

“Më datë 10.08.2021 ora 23:00 u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë për shtetasit Ervis Sovjet Mehmeti i datëlindjes 27.01.1984, banues në lagjen 4, Sarandë, me arsim 16 klasë, me detyrë përgjegjes turni në pikën doganore Qafë Botë, Konispol, shtetasit Emiljan Koço Barka i datëlindjes 23.08.1982 banues në lagjen 4, Sarandë, me arsim 16 klasë me detyrë doganjer në pikën doganore Qafë Botë, Konispol, shtetasit Artur Musa Mahmujat i datëlindjes 05.08.1971, banues në lagjen numër 3, sarandë, me arsim 12 klasë, me detyrë doganjer në pikën doganore Qafë Botë, Konispol, shtetases Anila Gogo Adhami e datëlindjes 18.09.1970, banuese në lagjen numër 3, Sarandë, me arsim 16 klasë, dhe shtetasit Stavri Panajot Deçka i datëlindjes 23.08.1950, banues në fshatin Karroq, bashkia Finiq me arsim 12 klasë, sepse më datë 09.08.2021 rreth orës 14:30 në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kaluar pa proçedur doganore duke mos e kryer zhdoganimin në doganën Qafë Botë të disa materjaleve ndërtimi me një vlerë rreth 2500 euro të cilat janë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Greqia më datë 09.08.2021 në pikën doganore Qafë Botë, Konispol me automjetin me targa Greke IZX9941 me drejtues mjeti shtetasin Stavri Deçka.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!