Kaloi shkallën e parë të vettingut, Komisioneri apelon vendimin për gruan e anëtarit të KLGJ-së

schedule16:07 - 5 Tetor, 2020

schedule 16:07 - 5 Tetor, 2020

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e shkallës së parë të vettingut, që e rikonfirmoi në detyrë gjyqtaren Elona Toro.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thuhet në njoftim.

Trupa Gjykuese e shkallës së parë të vettingut e përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja, Pamela Qirko pas shqyrtimit të provave dhe fakteve vendosi konfirmimin në detyrë të Elona Toro (Stavri), gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë në 12 qershor, por tashmë çështja ndodhet në Kolegj, shkallën e dytë.

Elona Stavri Toro është gruaja e Alban Toros i cili është anëtar i KLGJ.  Elona Toro e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për 16 vjet pranë Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2016, ajo u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!