Në Elbasan janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit për votat preferenciale duke nxjerrë një panoramë interesante sa i përket mbështetjes që kandidatët kanë marrë nga qytetarët.
Ndërkohë që sipas KQZ janë numëruar 237 kuti nga 511 në total, në vend të parë në rang qarku renditet kandidati i PS-së, Saimir Hasalla, i cili mban numrin 5 në listën e kandidatëve të kësaj partie. Hasalla ka deri më tani 7 704 vota dhe ka kaluar gjithashtu edhe Taulant Ballën, i cili renditet i dyti me 7 033 vota.
Në vend të tretë renditet Dashnor Sula i PD-së, i cili ka marrë deri më tani 6 053 vota personale.
PS mori 8 mandate në qarkun e Elbasanit kundrejt 6 mandateve të demokratëve. Siç duket deri më tani, asnjëri prej kandidatëve të renditur poshtë listave fituese nuk ka gjasa të thyejë herësin, ç’ka do të thotë se fituesit pritet të jenë ata që kryetarët e partive kanë renditur në krye të listave. /abcnews.al