Bashkimi Evropian ka shumë gjasa ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste, deklaroi të premten shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm.
“Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që ta fusim Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste,” tha ajo.
Garda Revolucionare Islamike konsiderohet një nga strukturat më të fuqishme të shtetit iranian dhe ka një rol kyç në politikën e brendshme, ushtrinë dhe operacionet e Iranit jashtë vendit. BE dhe vendet perëndimore e kanë akuzuar IRGC-në për përfshirje në destabilizimin e Lindjes së Mesme, mbështetje për grupe të armatosura dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Vendimi për ta shpallur IRGC-në organizatë terroriste ka qenë prej kohësh objekt debatesh brenda BE-së, pasi një hap i tillë do të kishte pasoja të rëndësishme diplomatike dhe ligjore në marrëdhëniet me Teheranin. Megjithatë, tensionet e vazhdueshme dhe zhvillimet e fundit në rajon kanë rritur presionin për masa më të forta.
Sanksionet e reja pritet të përfshijnë ngrirje asetesh, ndalime udhëtimi dhe kufizime financiare ndaj individëve dhe strukturave të lidhura me Gardën Revolucionare.
Iranit, nga ana e tij, ka paralajmëruar më herët se një vendim i tillë do të konsiderohej një akt armiqësor dhe mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. / ABCNEWS.AL /


