Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë dikur gjatë muajit të ardhshëm.
Pas takimit të Këshillit për Punë të Jashtme më 14 prill në Luksemburg, Kallas tha në një konferencë për media se vizita do të vijë “më vonë në maj”.
“Sa u përket Serbisë dhe Kosovës, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre është i rëndësisë më të madhe. Për këtë arsye duhet të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Kallas.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.