Kakavijë, pritet fluks klandestinësh

schedule15:05 - 16 Prill, 2019

schedule 15:05 - 16 Prill, 2019

Nga Greqia përmes Kakavijës, pritet një fluks i madh i klandestinëve nga Lindja e Mesme. Por, sipas Policisë Kufitare të Gjirokastrës, në qendrën e trajtimit nuk ka kapacitet për numër të lartë emigrantësh.

Gjurmët e tyre janë të dukshme, këpucë të mbetura rrugës, veshje. Përmes këtij shtegu nga Kakavija në tre muaj hynë 600 klandestinë nga Lindja e Mesme. Informacionet nga Policia Kufitare e Gjirokastrës flasin për një numër të lartë të emigrantëve të paligjshëm.

Të gjithë me qëllimin për t’u larguar në drejtim të vendeve të BE. Secili prej tyre vetëm për të kaluar territorin Shqiptar deri në Mal te Zi, paguan 1500 euro.

Çdo grup ka udhërrëfyesit ose siç njihen shoqëruesit e klandestinëve. Ata që janë me fat arrijnë ta kalojnë kufirin. Te tjerët përfundojnë këtu në qendrën e trajtimit në Gjirokastër.

Të rinj, burra në moshë, të vegjël dhe femra. Shumë nga ta kanë udhëtuar si familje. Vendorët në Gjirokastër janë në alarm për një fluks të ri klandestinësh. Dhe kapacitet për ti pritur ata janë të pakta.

Në qendër mund të trajtohen vetëm 60 persona. Kurse Drejtori i Policisë kufitare shtoi se nuk ka as punonjës të kualifikuar për ta frenuar fenomenin.

Burime për ABC News thonë se në muajin Maj në kufi mund të vendoset edhe Frontex. Agjencia evropiane që merret me mbikqyrjen e kufijve. Do të ketë ekspertë  posaçërisht për emigracionin e paligjshëm, kryesisht nga vendet në konflikt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!