Kafshët e “Safari Park” në Fier të cilat për shkak të gjendjes së mjeruar përfunduan në faqet e shtypit ndërkombëtar do të zhvendosen në kopshtin zoologjik në Tiranë. Këtu ka nisur ngritja e infrastrukturës së nevojshme për sistemimin e 13 kafshëve. Luanët, dhelpra, ariu, majmunët dhe ujku do të vendosen në kafazë, në ambjentet e mbyllura që do të përshtaten për strehimin e tyre.
Ndërsa antilopat, zebra dhe drerët në mjedise të hapura përgjatë kopshtit, në zona të rrethuara specifikisht për një jetesë normale për to. Parashikohet që punimet për ngritjen e infrastrukturës të përfundojnë brenda javës së ardhshme. Ndërkohë kafshët nga Fieri në Tiranë do të transportohen sipas një protokolli të caktuar nga veterinerë që do të vijnë nga Gjermania, Bullgaria dhe Kosova./abcnews.al