Kafeja dhe kulturat të tjera bujqësore përballen me ndryshime të mëdha, për shkak të ndryshimeve klimatike

schedule00:43 - 28 Janar, 2022

schedule 00:43 - 28 Janar, 2022

Pjesët e botës të përshtatshme për të kultivuar kafe, shqeme dhe avokado do të ndryshojnë në mënyrë dramatike ndërsa bota nxehet, sipas një studimi të ri. Rajonet kryesore të kafesë në Brazil, Indonezi, Vietnam dhe Kolumbi do të “ulen në mënyrë drastike” me rreth 50% deri në vitin 2050. Zonat e përshtatshme për shqeme dhe avokado do të rriten, por shumica do të jenë larg vendeve aktuale të prodhimit.

Autorët thonë se duhen bërë përpjekje më të mëdha për të ndihmuar fermerët të përshtaten. Kafeja është një nga kulturat më të rëndësishme në botë, jo vetëm si pije kryesore, por si një mjet jetese për miliona fermerë të vegjël. Falë preferencave në rritje të konsumatorëve në vendet më të pasura, kërkesa për avokado dhe shqeme është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit.

Kërcënimi ndaj kafesë nga ndryshimet klimatike është dokumentuar mirë vitet e fundit dhe ka pak informacion se si rritja e temperaturave do të ndikojë në avokado dhe shqeme. Në këtë studim, autorët shikuan se si rritja e temperaturave dhe ndryshimi i shkallës së reshjeve do të ndikojnë në tre të korrat gjatë 30 viteve të ardhshme raporton gazetari Matt McGrath i “BBC-së”. Studiuesit gjithashtu, për herë të parë kanë përfshirë informacione rreth karakteristikave të tokës.

Kafeja është kultura më e ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Në ato vende që përbëjnë shumicën e prodhimit botëror të Arabikas që është varieteti dominues i kafesë, përshtatshmëria për rritjen e të korrave do të përgjysmohet deri në vitin 2050 që është një reduktim “drastik”, sipas raportit. Në skenarin e temperaturës më të ulët, do të kishte një ulje prej 76% në zonat më të përshtatshme të Brazilit për kafe dhe në Kolumbi do të tkurrej me 63%. Disa rajone në skajet veriore dhe jugore të zonave të rritjes së sotme do të bëhen më të përshtatshme, duke përfshirë Argjentinën, Afrikën e Jugut, Kinën dhe Zelandën e Re.

“Mesazhi kryesor për ata që janë në rajonet kryesore prodhuese sot është se sistemet bujqësore duhet të përshtaten me kushtet në ndryshim,” tha autori kryesor Roman Grüter, nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Zyrihut. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!