Kadare: Shqiptarët dhe serbët të bëjnë dialog dhe marrëveshje

schedule13:54 - 13 Shtator, 2018

schedule 13:54 - 13 Shtator, 2018

Shkrimtari Ismail Kadare është shprehur kategorikisht kundër ndarjes territoriale të Kosovës. Ai thekson se shqiptarët dhe serbët duhet të dialogojnë dhe të arrijnë marrëveshje, por këtë jo në dëm të sovranitetit të Kosovës.

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, në një intervistë për median “Presheva Jonë”, ka komentuar zërat që qarkullojnë për një ndarje të mundshme të Kosovës si pasojë e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Edhe Kadare është rreshtuar kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

Ismail Kadare, shkrimtar: “Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit te Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptaret dhe serbet dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit te Kosovës! Askush s’ka te drejte, Serbia hiç e me hiç, të cënojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për gjendjen e popullsisë që jeton në Luginën e Preshevës, ku thotë se “edhe pse shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare”. Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!