U shoqërua me jo pak batuta mes Ramës dhe Borrelit pyetja nga gazetarët mbi vonesat në proceset integruese të Shqipërisë në BE. Të dy ata u pyetën: Tani që nusja nuk po na vjen, edhe pse po e presim, a do ta anulojmë dasmën?
Rama tha se Shqipëria është e dashuruar me BE-në dhe do të martohen një ditë, duke këmbëngulur se unioni nuk ka ku shkon përveç se të lidhë kurorë me Shqipërinë.
“Nuk e di këtë traditën shqiptare që të anulohet dasma sepse nuk e lenë nusen të shkojë te dhëndri. Dasmat në Shqipëri bëhen pas marrëveshjes mes krushqve. Por, nëse do të vijojmë me këtë ide, nuk ka krushq që anulon dasmën tonë, pasi ne jemi të dashuruar me BE-në. Jemi gati për t’u martuar me BE-në në momentin që ajo do të jetë gati. Ne këto deklaratat e dashurisë i kemi thënë me kohë”, tha Rama duke shtuar se “BE nuk ka ku shkon, është e detyruar të martohet me Shqipërinë”.
Fill pas Ramës, erdhi një batutë e Borrelit, e cila ka nevojë për shpjegime të metejshme ndoshta.
“Mqs po flisnim për martesat, ka lloje të ndryshme martesash, por nuk po e komplikoj më shumë”, tha Borrel duke mos vijuar më tej të shpjegojë se për çfarë e kishtë fjalën. /abcnews.al