Ka fituar tre trofe në Shqipëri, Sosa s’e harron bisedën me Diego Simeonen

schedule13:39 - 25 Prill, 2020

schedule 13:39 - 25 Prill, 2020

Rafael Sosa, një emër shumë i njohur për futbollin shqiptar. 31 vjeçari ka fituar dy tituj kampion në Superiore, një me Dinamon (09/10) dhe një me Skënderbeun (10/11). Gjithashtu, argjentinasi ka fituar dhe Kupën e Shqipërisë me Laçin, në sezonin 2014/15.

31-vjeçari është rikthyer pas në kohë me anë të një postimi në rrjetet sociale. Pas 5 viteve si lojtar i moshave të Estuadiantes, më në fund iu dha mundësia të luajë me ekipin e parë. Kujtime të bukura dhe të paharrueshme, aq më tepër prej faktit që në stolin e skuadrës argjentinas ishte ulur një emër si Diego Simeone.

“Sapo kisha mbushur 18 vjeç dhe më duhet të kaloja te skuadra e parë e Estuadiantes, pas 5 viteve të kaluara në moshat e kësaj skuadre. Mbaj mend çdo detaj të asaj jave, kur një të premte pasdite mora ftesën e drejtorit teknik për grumbullimin në ndeshje.

‘Rafa, nesër duhet të paraqitesh në orën 8 në dhomat e zhveshjes së skuadrës së parë. Duhet të jesh i përqendruar, mos u vono dhe të uroj fat’, më tha ai. Nuk më zuri gjumi atë natë. Mijëra mendime më kalonin në kokë, që nga dita kur mbërrita në klub dhe kisha shumë iluzione, kur shkoja në sheshin e lagjes për të luajtur me shokët e shumë gjëra të tjetra.

U zgjova në orën 6:30, përgatita çantën e stërvitjes, një palë këpucë të vetme që kisha dhe atletet. U nisa drejt kompleksit stërvitor pastaj. Ishte gjysmë ore larg dhe nuk gjeta askënd kur mbërrita. Kisha shkuar i pari. Kur erdhën më kërkuan të ndërrohesha dhe më pas të shkoja në orën 11:00 në dhomën e ngrënies.

Shkuam atje dhe të gjithë ishin duke ngrënë mëngjes, Veron, Calderon, Andujar e të tjerë. I numërova lojtarët dhe thashë më vete: ‘Dreqi e marrtë, jemi shumë dhe unë do të mbetem jashtë’. Pasdite vjen një djalë dhe më thotë: ‘Djalosh, më jep të gjitha informacionet rreth teje, sa vjeç je, ku luan, janë për televizionin, pasi do të jeni në stol. Urime’.

Ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime. Nuk debutova me Estudiantes, por do jem mirënjohës për gjithë jetën. Përveç stërvitjes si futbollist, po stërvitesha edhe si njeri. Një histori me trajnerin. Kur mbaroi pjesa e parë shkova të lidh lidhëset e këpucëve në tualet dhe më dridheshin duart. Kur u ktheva, më pyeti a isha nervoz dhe i thashë që isha aq sa duhej. Më tha: “Shiko, nëse shkon mbarë do futesh në lojë”. Trajneri ishte Diego Simeone”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!