Juventusi “vret” Serinë A që në Janar

schedule12:28 - 28 Janar, 2019

schedule 12:28 - 28 Janar, 2019

Juventusi duket se ka siguruar një tjetër titull në Serinë A. Kampionët në fuqi janë shkëputur ndjeshëm nga rivalët, ndërsa Kristiano Ronaldo vazhdon ta gjejë rrugën e rrjetës

Futbolli në Itali do të thotë një skuadër. Çfarë komenti mund të bësh tjetër kur Juventusi fiton 7 tituj radhazi, dhe praktikisht e ka në xhep edhe të tetin, gjithashtu pa ndërprerje?

Dominimi bëhet edhe më i frikshëm, kur shikon fitore si kjo në fushën e Lacios, pra sukses edhe kur ekipi nuk luan shumë mirë. Mjaftuan 15 apo 20 minuta futboll prej Juventusi që të përmbysej një skuadër e mirë brenda në fushën e saj.

Kristiano Ronaldo shënoi golin e 15-të në Serinë A, duke thyer shqiptarin Tomas Strakosha, ndonëse duhet theksuar se portugezi ka 5 rrjeta me penallti. Tashmë, kampionët janë 11 pikë përpara Napolit të vendit të dytë, dhe shumë më larg të tjerëve, me mediat që e bënë festë bardhezi.

“La Gazeta delo Sport”: Juve, plus 11 luanë! Shumë Torino, Interi bosh! Një spektakël I çmendur, Xheko shkon në 0-3, me Zapatën është 3-3! “Il Korriere delo Sport”: Nuk i mund dot! Heqin keq, vuajnë, ndryshojnë, fitojnë! Një Juventus mizore përmbys një Lacio dominuese për 75 minuta!

Gazeta “Tutosport” e Torinos, lavdëron dy ekipet e qytetit: Juve në +11! Toro e madhe, Valentino është për ty (duke nënkuptuar legjendën Macola)! Nëse Juvja nuk gabon kurrë, Interi është thuajse e kundërta.

Në një ndeshje të dobët, kur duhej të ishte ndryshe, zikaltërit u dorëzuan në qytetin juventin, përballë Torinos. Një gol i Izos bëri diferencën, ndërsa trajneri interist, Luçiano Spaleti, kritikoi dyshen e sulmit Ikardi-Lautaro, por pati akuza edhe për Perishiçin dhe lojën e ekipit.

“Nuk funksionuan, – tha prerë trajneri, – por, i aktivizova sepse shpresova që të na jepnin epërsi në duelet një për një. I aktivizova edhe sepse Perishiç kishte dhimbje në shpinë. Marota thotë se Perishiç nuk dëshiron të luajë, pasi ka oferta nga jashtë, nëse nuk dëshiron të luajë, le të rrijë jashtë ekipit. Duhet vënë rregull në parimet e një skuadre”.

Tifozët kanë kohë që shpresojnë që një ditë loja të ndryshojë, por që pas largimit të Murinjos në 2010, kjo nuk po ndodh, dhe Interi nuk po del më kampion. Zhgënjim për tifozët ishte edhe Roma, pavarësisht një paraqitjeje të shkëlqyer të sulmuesit boshnjak Edin Xheko. Barazimi 3-3 në fushën e Atalantës, duke u ndodhur në avantazh 3-3, ngre sërish pikëpyetje për ekipin e trajneri Di Françesko, që rrezikon edhe Championsin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!